Report TV - Ekskluzive/ Gjyqtarët bum kërkesash për dalje në pension

2018-05-09 0

Nëse deri para miratimit dhe nisjes së zbatimit të ligjit të Vetingut, gjyqtarët e të gjithave niveleve, lëviznin çdo gur dhe shfrytëzonin çdo hapësirë, për të qëndruar në detyrë pavarësisht mbushjes së moshës për dalje në pension, kohët e fundit, po ndodh e kundërta, ku gjyqtarët po nxitojnë të dalin në pension, në disa raste edhe pa mbushur plotësisht moshën.

Teksa organet e Vetingut, hetuesit e SHBA-BE dhe institucionet e tjera ndihmëse kanë nisur një verifikim të trefishtë për 68 prokurorë dhe gjyqtarë, për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësisë profesionale, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka një bum kërkesash nga ana e gjyqtarëve për të dalë në pension. Lëvizja vjen edhe në një kohë kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e shoqatave të gjyqtarëve për të hedhur poshtë kufizimin kohor, parashikuar në ligjin e Vetingut, brenda të cilit gjyqtarët mund të jepnin dorëheqjen për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. Ky afat ka skaduar, ndërsa vetëm 10 gjyqtarë e shfrytëzuan, duke dhënë dorëheqjen.

Ndërkaq, vetëm gjatë mbledhjes së fundit, të datës 17 nëntor të këtij viti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka miratuar daljen në pension të gjyqtarëve Myriban Mullaj dhe Gjinovefa Gaba, ndërsa ka shtyrë daljen në pension të inspektores Dashuri Gjunkshi. Në mbledhjen e parafundit, KLD miratoi daljen në pension të gjyqtarit Granit Qypi. Sipas burimeve, në KLD janë depozituar një listë me kërkesa për dalje në pension, ndër të cilat edhe kërkesat e Arjana Liços gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Fiqerete Mullajt gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Nazmie Pengilit gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë etj.

Free Traffic Exchange