Report TV - Nikël, tritol për herë të dytë dyqanit ushqimor,shpëtojnë pa pasoja burrë e grua

2018-05-09 2

KRUJE-Një shpërthim me eksploziv ka tronditur në mesnatë fshatin Zezë të Niklës. Lënda eksploziv iu vendos një dyqani ushqimor në pronësi të Gëzim Metës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, ndërsa kanë shpëtuar për mrekulli pronari Gëzim Meta 57-vjeç së bashku me gruan, pasi mbrëmë po flinin në dyqan.

Autorët kishin dijeni se çifti po kalonte natën në dyqan, pasi po rikonstruktonte banesën. Por nga shpërthimi me eksploziv fatmirësisht raportohet vetëm për dëme materiale. Kjo është hera e dytë që këtij personi i vendoset eksploziv në dyqan, pasi edhe dy vite më parë iu vendos tritol.

Banorët e zonës së Niklës shprehen se familja Meta, që iu vendos eksploziv nuk është problematike, madje ka ndihmuar disa persona me biznesin e tyre edhe pse nuk gjeneronte shumë të ardhura.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur autorët e ngjarjes, ndërsa ka marrë në pyetje edhe pronarin e dyqanit për konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur.

Gëzim Meta mësohet se është shprehur se ?Nuk kam asnjë lloj dyshimi se pse mund të ketë ndodhur dhe kush mund ta ketë vendosur eksplozivin?.