Report TV - Mediu: Rezerva aksionit opozitar, duhet të ishim në protesta

2018-05-09 0

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i ftuar në "45 minuta" me Denis Mingën në Report Tv, u shpreh se opozita duhet të ishte në protesta, pasi sipas tij qeveria dhe vendi ndodhen nën pushtetin e krimit të organizuar.

I pyetur se pse opozita nuk ka organizuar asnjë tubim pas morisë së akuzave në adresë të qeverisë, Mediu tha se edhe ai ka të njëjtën pyetje për kryetarin e PD, Lulzim Basha. "Është një pyetje që s'të jap përgjigje, pasi edhe unë e kam të njëjtën pyetje. Do doja që ne të flasim me qytetarët drejtpërdrejt, duke diskutuar tubime për të diskutuar çdo gjë. Kjo vjen si lëvijze shoqërore të cilat janë të domosdoshme".

Sa i takon vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi marrëveshjen e qeverisë "Berisha" me Greqinë për detin e firmosur në vitin 2009, Mediu tha se vlerëson këtë vendim. "Është një çështje e gjykuar nga Gjykata Kushtetuese. Vlerësoj vendimin e gjykatës, me pëlqen apo jo. Sa i takon çështjes Çame, për fatin e keq janë tentuar të largohen nga boshti i zgjidhjes konkrete përmes demagogjisë dhe folklorizmave politike, në vend që të merreshim me zgjidhjen", u shpreh Mediu.