Report TV - Miqtë e Tahirit dhe Dakos nuk mund të emërojnë kryeprokurorin

2018-05-09 0

Partia Demokratike do të ndërmarrë të gjitha hapat për të penguar emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm nga qeveria. Me një qëndrim që bie ndesh me opinionin e dhënë nga OPDAT dhe EURALIUS, Basha u shpreh se Rama nuk mund të emërojë një prokurorë të përkohshëm.
"Qëndrimet tona kanë qenë dhe janë të qarta, prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Rama. Ky që sulmoi prokurorët që kërkonin arrestimin e Tahirit. Miqtë e Tahirit dhe Dakos nuk mund të emërojnë kryeprokurorin, pasi do të thoshte fund i hetimeve për Tahirin, Dakon e etj. Ne nuk do ta lejojmë. Bie në konflikt me frymën e Reformës në Drejtësi, madje absurdi është që edhe Tahiri të votojë, dhe ky prokuror të nxjerrë Tahirin para drejtësisë. Me të gjitha format nuk do të lejojmë emërimin e Kryeprokurorit nga Rama", shtoi Basha.

Mandati i prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla përfundon më 3 dhjetor, ndërsa pritet që mazhoranca të zgjedhë edhe një kryeprokuror të ri të përkohshëm. Pak ditë më parë dy misionet e BE-së dhe SHBA-së u shprehën se nuk ka asnjë institucion në Shqipëri që mund ti zgjasë mandatin kryeprokurorit dhe rrugë e vetme ligjore është zgjedhja e një kryeprokurori të përkohshëm nga ana e Kuvendit.