Kush jane tre ish - drejtuesit e Policise te shpallur ne kerkim?

2018-05-09 1

Jaeld Çela, ish - drejtor i policisë së Vlorës, me gradën Drejtues i Parë, është drejtuesi më i lartë në hierarkinë e oficerëve të policisë, për të cilët Gjykata e Krimeve të Rënda ka kërkuar që të arrestohen.

Çela ka një karrierë të pasur policore dhe ka kryer funskione të rëndësishme në një periudhë prej 17 vitesh.

Për shumë kohë ka punuar si oficer i Antidrogës dhe Krimeve në nivelin bazë në Tiranë e Durrës, ndërsa në vitin 2009 është emëruar specialist i hetimit, pranë Drejtorisë së Antikrimit në Policinë e Shtetit, në sektorin e Antidrogës.

Në 2013-ën u emërua Zv/Drejtor i Policisë së Durrësit, funksion që e mbajti deri në mesin e viti 2015.

Në këtë kohë, ai u emërua Drejtor i Policisë së Vlorës deri në Prill të vitit 2017, ku u shkarkua pas ardhjes së Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme.

Më 1 Mars të këtij viti, gjatë kohës që sipas prokurorisë, ai ka qenë nën hetim për kultivim dhe trafik droge, Çela doli në media në krye të një operacioni antidroge në Poçem, ku angazhojë për të luftuar kultivimin e kanabisit.

Sokol Bode, personi i cili shfaqet në foto me Moisi Habilajn, u emërua komandant i postës së kufirit në Dhërmi të Vlorës në fund të vitit 2014.

Këtë detyrë ai e mbajti deri në Maj të 2017-s, kur u largua për t?u emëruar Shef rendi në Pukë dhe me pas shef i seksionit të përgjimeve në Policinë e Shkodrës. Pas publikimit të dosjes së Habilajve, Bode pezullohet nga detyra, me 25 Tetor 2017.

Gjergj Kohila, që shihni në këtë foto të siguruar nga Tv Klan, ka kryer funksionet e shefit të hetimit të krimit të organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Vlorës prej fillimit të vitit 2015.

Ai u shkarkua nga kjo detyre në Qershor të këtij viti dhe u la në dispozicion.

Më parë ai ka kryer funksionet e shefit të Antikrimit Ekonomik në Policinë e Durrësit.

Sic rezulton nga të dhënat zyrtare, tre drejtuesit e lartë janë emëruar pothuasje në të njëjtën kohë në detyrë në qytetin e Vlorës, ku sipas prokurorisë, dyshohet se janë përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Tv Klan