Leonard Olli në një intervistë për Report Tv ka sqaruar arsyet e largimit nga drejtimi i grupit të PD në këshillin bashkiak të Tiranës. Ai u shpreh se për shkak të angazhimeve profesionale i kërkoi Bashës dhe grupit largimin, ndërsa shtoi se ishte propozimi i tij që në krye të grupit të ishte Kreshnik Çollaku.
?Nuk është se është moment i caktuar, i drejtë apo i padrejtë. Cështja e drejtimit të grupit në bashki është një angazhim serioz, që të merr energji dhe kohë. Për arsyer të disa angazhimeve të mia që i kisha lënë pas dore, nuk mund të toleroja më, më duhet t?i kryeja.
I kërkova grupit dhe Bashës që të më mirëkuptonte. Grupi e pranoi kërkesën edhe sugjerimin për të më pasuar në detyrë Çollaku. Nuk ka asnjë gjë më shumë dhe asgjë më pak se arsyet profesionale? deklaroi ai.
Leonard Olli njihet si kundërshtar i kryetarit të PD, Lulzim Basha, ndërsa Kreshnik Çollaku që merr drejtimin e ri të Këshilltarëve të Djathtë në bashkinë e kryeqytetit si mbështetës i liderit të PD.