Report TV - Policia rrugore projekt me radarët spiunë, llotari për shoferët e ndershëm

2018-05-09 1

Vendosja e radarëve të padukshëm do të jetë mjeti më i ri që do të përdorë policia rrugore anembanë vendit për të gjobitur drejtuesit e mjeteve që tejkalojnë shpejtësinë.
Nuk do të jetë më e nevojshme prania fizike e policit rrugor, pasi radarët janë automatikë dhe pasi pikasin shkelësit i fotografojnë ata dhe më pas në bazë të identifikimit fotografik të targave, atyre iu dërgohet gjoba në shtëpi, në adresat përkatëse.

Në një deklaratë për mediat gjatë ditës së sotme për të njoftuar mbi këtë nismë, drejtuesi i policisë rrugore Ervin Dervishi njoftoi për nismën më të re që do të ndërmarrë policia për të disiplinuar dhe vlerësuar drejtuesit më korrektë të automjeteve.

Nisma ka të bëjë me ?lançimin e një llotarie për drejtuesit e mjeteve që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Do të përzgjedhim drejtuesin e mjetit model, që respekton rregullat e qarkullimit, duke ecur brenda kufijve të limiteve të shpejtësisë. Për drejtuesit që qarkullojnë brenda normave, do të përzgjidhen më korrektët dhe të premten do të zhvillojmë një shorte live në mjediset e policisë dhe bashkë me TAP dhe një kompani sigurimesh, do dhurohen 20 polica sigurimesh për një vit për ata që përzgjidhen,? ? tha Dervishi.