Emrat e rinj të përzgjedhur nga konkursi për drejtimin e 5 spitaleve universitare dhe 11 rajonale, pjesa më e madhe e të cilëve rezultojnë me lidhje politike me Partinë Socialiste kanë shkaktuar debat në Komisionin e Ekonomisë.
Ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ai që ka pyetur Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu rreth transparences me të cilën u përzgjohen drejtorët e rinj.
Por ajo nuk është lënë të përgjigjet nga drejtuesi i komisionit.
"Në Shkodër për shembull kemi një kandidat të Partisë Socialiste që është emëruar, janë rikonfimuar të njëjtët që dihet që ishin afër partisë suaj. Doja të dija opinionin tuaj nëse është e ligjshme që ne të harxhojmë paratë e buxhetit dhe të gënjejmë qytetarët, për të bërë të njëjtat emërime që bëheshin më përpara".
"Këto janë vlerësime të deputetit. Ju dhe deputeti mund ta konsumoni këtë temë në interpelancë në seancën plenare".
E pyetur nga Televizoni Klan mbi vërtetësinë e këtij konkursi dhe akuzat e opozitës për përzgjedhjen e emrave mbi baza partike, Ministria e Shëndetësisë, u përgjigj.
"Komisioni i cili ka bërë vlerësimin e konkursit, po e theksoj edhe një herë konkurs i hapur mbi baza transparence, mbi baza meritokracie, në lidhje me aplikuesit që kanë aplikuar në këto pozicione, ka qenë dhe janë vlerësuar nga një komision eskpertësh kombëtar dhe ndërkombëtar. Këtu nuk ka hyrë aspak, as ministria, aq më pak politika. Të gjitha vlerësimet janë bërë nga ky komision".
Bazuar në të dhënat e ofruar nga zyra e shtypit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, në garën për drejtuesit e spitaleve janë paraqitur 84 aplikanët me dosje, 75 kaluan në fazën e dytë që ishte testimi me shkrim e më pas në atë me gojë, ku duhej të prezantonin një platformë për mënyrën se si do të menaxhonin spitalet.
Tv Klan