Hartimin e draftit ligjor për Vettingun në Policinë e Shtetit, qeveria synon ta ketë gati brenda Dhjetorit të vitit 2017. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaroi se më këtë proces janë të përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë dhe se është herët të thuhet se sa efektivë do të preken nga Vettingu në radhët e policisë.
"E kam shumë të vështirë të them se sa nuk do plotësojnë ato kritere e standarde që do të caktohen për mos të qenë më pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit. Vettingu është në procesin e hartimit të kuadrit ligjor. Gradualisht ne do të kalojmë tek aktet rregullatorë, me synimin me shpresën, së bashku me asistencën ndërkombëtare që kemi angazhuar për këtë proces, të mund ta përmbyllim brenda këtij viti".
I pyetur për 20 efektivët e policisë të cilëve Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar u ka hequr aksesin mbi informacione të rëndësishme, Xhafaj tha se edhe për ta do të pritet Vettingu, ndërsa provizorisht janë lëvizur nga pozicionet që mbanin.
"Ky nuk është një detyrim për ta pezulluar, për ta larguar të paktën për momentin nëse, nuk e di se çfarë se si do të rezultojë kjo me faktorë të tjerë në kuadrin e Vettingu-t, por nuk mund të rrinë në ato vende pune që disponojnë, ose që operojnë me dokumente të klasifikuara".
Deklaratat Xhafaj i dha pas konferencës së Organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ku u prezantua projekt-strategjia e drejtësisë për të miturit.
Tv Klan