Report TV - Rama kompanive: Jo me paga në të zezë dhe bilance të dyfishta, do ndëshkoheni

2018-05-09 0

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjitha kompanitë që abuzojnë me pagesat e punonjësve dhe detyrimet, që nga janari i vitit 2018 do të ndëshkohen rëndë. Në ?Komunikimin Javor?, shefi i qeverisë tha se janë rreth 40% e punonjësve të bizneseve të mëdha, të cilët janë deklaruar me pagë minimale.

Gjithashtu, Rama deklaroi se ka dhe kompani në vend që punojnë me bilance të dyfishta, duke paralajmëruar ashpër se kjo nuk do të lejohet më nga janari, ku sipas tij, forca e ligjit do të godasë më fort se kurrë më parë.
?Me gjithë arritjet e konsiderueshme, si dhe në luftën kundër punës në të zezë, së fundi janë identifikuar rreth 40% e të punësuarve në bizneset e mëdha të deklaruar me pagë minimale 30 mijë lekë. Kjo është e pajustifikueshme, por edhe e dënueshme, pasi shkelen hapur të drejtat e punonjësve, duke iu ngrënë padrejtësisht pensionin, duke i bërë bisht pagesës për tatimin e fitimit. Qeveria nuk do ta tolerojë këtë situatë, gropa e detyrimeve mbetet ende e një madhësie të papranueshme për një vend që synojmë ta bëjmë shtet. Në Shqipëri puna duhet paguar denjësisht, nga të gjithë pa përjashtim. Në katër vitet e fundit, u ngjitëm në disa shkallë në rangun e rajonit, ku deri katër vite më parë ishte e fundit për rrogat e ulëta. Edhe rrogat janë rritur në krahasim me katër vite më parë. Kompanitë që punojnë me dy bilance do marrin goditje të fortë në janar, sepse qeveria do të njohë vetëm bilancet e paraqitura prej kompanive në banka. Forca e ligjit do të ushtrohet më fort se asnjëherë më parë për çdo biznes që do gjendet në kushtet e mashtrimit me pagat dhe me detyrimet?, tha Rama.