Report TV - Elbasan, Balla: Buxheti i vitit 2018, më i përgjegjshmi ndër vite

2018-05-09 0

Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla tha se buxheti i miratuar të enjten në Kuvend është buxheti që do të garantojë ujin e pijshëm duke theksuar edhe një herë se buxheti i vitit 2018 është buxheti më i përgjegjshëm i gjithë këtyre viteve.
Deklaratat u bënë në Elbasan, teksa u inspektuan punimet e një investimi 3 milionë euro në ujësjellës.

"Dy ditë më parë miratuam në Kuvendin e Shqipërisë buxhetin për vitin 2018, në parim. Unë jam shumë i gëzuar që ndaj lajmin e mirë me të gjithë banorët e qytetit të Elbasanit, që ky buxhet është buxheti më i përgjegjshëm i Shqipërisë në gjithë këto vite. Ne jo vetëm që konsolidojmë investimet e nisura përsa i përket furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve, por dua të them që lajm i mirë për Elbasanin është se gjatë vitit 2018, përveç këtij loti të parë të një investimi prej 3 milionë eurosh në investimin me ujë të pijshëm, do të kemi edhe lotin tjetër për të garantuar që në çdo familje të Elbasanit më në fund të ketë furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm. Në këtë lot të parë përfitojnë 4 mijë familje, të cilat prej shumë vitesh kanë vuajtur mungesën e ujit të pijshëm. Loti i dytë është edhe më i madh në vlerë financiare, pasi do të synojmë edhe përmirësimin e mënyrës së furnizimit me ujë të pijshëm të ujësjellësit të Elbasanit"-tha Balla.