Partia Demokratike ka denoncuar sërish koncesionin e check up-it si më korruptivin në vend, pasi sipas saj janë paguar nga buxheti i shtetit plot 4 milionë euro për një shërbim i cili sipas demokratëve nuk është kryer.
Deputetja e PD, Albana Vokshi u shpreh gjatë një konference për shtyp se check up-i është njëherazi edhe më i dështuari. "4 milionë euro për një shërbim të padhënë, është provë se check-up jo vetëm nuk është falas, siç thotë Edi Rama, por me këtë konçesion, kontrolli shëndetësor është kthyer në një shërbim disa herë më i shtrenjtë. Ky përfitim marramendës është parashikuar në kontratën e Edi Ramës me klienten e tij Vilma Nushi, e cila do të vazhdojë të paguhet 7 milionë euro në vit, edhe sikur check up-in ta kryejë një shqiptar i vetëm. Kjo është arsyeja pse Edi Rama prej dy vjetësh refuzon ta bëjë publike këtë kontratë zhvatëse për shqiptarët, si dhe çdo kontratë tjetër konçesionare në shëndetësi", tha Vokshi.