Report TV - Tokës i del pronari, 20 familje nxirren me forcë nga banesa

2018-05-09 0

Banorët e zonës së Tufinës kanë protestuar sot kundër lirimit të banesave të tyre, pasi tokës me sipërfaqe prej 18 000 metra katrorë, i ka dalë pronari. Gjykata ka urdhëruar lirimin e banesave dhe shembjen e tyre.
Janë banesat e rreth 20 familjeve të cilat duhet të lirohen, pavarësisht se një pjesë e tyre, siç thonë banorët janë ndërtuar që përpara viteve '90. Paraditen e sotme përmbarimi ka tentuar të nxjerrë banorët nga shtëpitë por ka hasur në rezistencën e tyre. Ata kanë dalë në rrugë dhe janë ulur përpara fadromave. Krahas pronësisë së truallit, një pjesë e familjarëve kanë probleme edhe me legalizimin, çka bën që ata të humbasin banesat dhe të mos përfitojnë as dëmshpërblim. Sipas avokatit të familjeve, Baftjar Rusi, vendimi për lirimin e banesave dhe shembjen e tyre shkel të drejtat e qytetarëve.

?Përmbaruesi nuk ka fuqi ekzekutive, nuk mund të hidhet poshtë ligji 7501, të drejtat e pronës janë të paprekshme. Janë shkelur të drejtat e qytetarëve, këta kanë dokumenta, tapi çdo gjë që nevojitet për të gëzuar një pronë. Ky vendim duhet të rrëzohet, sepse dëmtojnë të drejtën e pronës, me këto prona këta banorë jetojnë, nuk kanë të ardhura të tjera. Ndërtimet janë bërë me leje dhe pa leje?, thotë Baftjar Rusi, avokati i familjeve. ?Prokuroria të merret me njerëzit e tij të mos dërgoj njerëz këtu të na shkatërrojnë pronën, kemi certifikatën e pronësisë, nuk mund të marrin pronat tona. Ja shikohen prona ime është 30 dynym e këta duan ta shkatërrojnë, kërkojmë të veprohet me drejtësi e jo me padrejtësi?, shprehet njëri prej banorëve.

Banorët shprehen se janë akoma në procese gjyqësore, ndërsa shtojnë se prona e tyre nuk është send që mund të bëhet çfarë të duan përmbaruesit, ndërsa pohojnë gjithashtu se zotërojnë edhe certifikata pronësie. ?Këtu janë në total 20 banesa, kemi dokumentat, është tokë arë, kjo nuk mund të ndodhi ne as nuk na kanë thënë se do marrim shpërblim për tokën dhe shtëpitë tona. Ne e kundërshtojmë këtë vendim, është i padrejtë ne duam të pezullohet ky vendim i padrejtë?, tregon një prej banorëve. ?Duan të ma marrin, ne e dimë se kush është , ai është një i LSI-së që po na grabit pronën. Ne i kemi të gjitha dokumentat, gjykata nuk është shprehur ende për vendimin, këtu po luhet me dy standarde, duhet të jenë korrekt. Policia u përpoq të ishte korrekte por degjenerojë situata këtu në ish-Tufinë. Madje njëra prej banoreve ka përfunduar në spital, i ra të fikët pas përplasjes me përmbaruesit?, tha njëra prej banoreve.

Free Traffic Exchange