Korridori Blu dhe Korridori Adriatiko-Jonian, janë dy projekte rajonale që lidhin strategjikisht Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kroacinë.
Në takimin Trilaterat të Adriatikut mbajtur sot në Durrës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Kroacisë, Marija Pej?inovi? Buri?, si edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srgjan Darmanovic ranë dakord që vendet të përqendrohen në stimujt dhe mundësitë që do të ndihmonin në përshpejtimin e fazave të zbatimit dhe të punojnë së bashku për të dhënë mbështetjen financiare për të dy projektet.
Ministrat informuan për projektet aktuale dhe të ardhshme si pjesë e agjendave kombëtare në infrastrukturë, energji dhe turizëm. Ministrat thanë se një bashkëveprim më i mirë midis vendeve pjesëmarrëse në këtë pjesë të Evropës Adriatike, është me interes të përbashkët. Për këtë qëllim, ministrat përsëritën domosdoshmërinë dhe inkurajuan platformat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme kombëtare, në mënyrë që të koordinohen veprimet në mbështetje të projekteve me interes të përbashkët.
Duke rikujtuar Deklaratën e Përbashkët të miratuar në takimin e parë në Split, Kroaci, më 10 shkurt 2017, Ministrat riafirmuan rëndësinë e kësaj platforme strategjike të bashkëpunimit midis tre vendeve, si një mekanizëm të vlefshëm që kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës Juglindore.
Shqipëria dhe Kroacia përgëzuan Malin e Zi për anëtarësimin në NATO. Në këtë drejtim, ministrat shprehën kënaqësinë dhe theksuan rëndësinë e zgjerimit të NATO-s përgjatë bregut të Adriatikut. Përveç kësaj, kjo do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Juglindore dhe do të inkurajojë kandidatët e tjerë që të vazhdojnë me agjendat e tyre të reformave, të cilat do të mbështeten plotësisht nga të tre vendet.
Ministrat diskutuan sfidat aktuale globale të sigurisë. Ata theksuan rëndësinë e bashkimit të forcave, së bashku me anëtarët e tjerë të Aleancës për t?u bërë ballë kërcënimeve që i kanosen stabilitetit dhe sigurisë së zonës Euro-Atlantike.