Ndezja për herë të parë e sistemit ngrohës me pellet në shkollën e mesme të Shupenzës në Bulqizë, për pak ka rezultuar fatale për 120 nxënënsit e saj.
Çlirimi i gazrave ka helmuar 60 nxënës, 34 prej të cilëve po marrin mjekim në spitalin e Peshkopisë, 27 në spitalin e Bulqizës dhe një është transportuar me helikopter në Tiranë ku gjendet e shtruar në shërbimin e toksikologjisë në qendrën spitalore universitare ?Nënë Tereza?. Dhjetë prej nxënësve paraqiten në gjendje më të rëndë.
Drejtuesit e spitaleve ku gjenden të shtruar nxënësit konfirmojnë se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe pa rrezik për jetën.
Ekspertët të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje thonë se gjithçka ka ardhur si pasojë e montimit gabim të sistemit ngrohës me pellet gjatë rikonstruksionit të shkollës. I nxitur nga moti i ftohtë, përgjegjësi i kaldajës e ka ndezur atë mëngjesin e së premtes pa e testuar më parë. Tymi dhe gazi i dioksidit të karbonit i prodhuar është kthyer mbrapsht duke helmuar nxënësit e klasave të katit të parë. Krahas ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale ka dërguar për ndihmë të specializuar edhe dy mjekë, një toksikolog dhe anestezist.
Tv Klan