Arsimi Shqiptar në kohë ka njohur sakrifica të jashtëzakonshme të mësuesve për shkak të mungesës së infrastrukturës sidomos në vitet e para të çlirimit, por a duhet mësuesit të sakrifikojnë edhe sot në 2017 si 50 vite më parë?
Mësuesi i ri Skerdilajd Murati i diplomuar pak kohë më parë i duhet të ecë me këmbë për orë të tëra për të shkuar në shkollën ku jep mësim. Ai ngrihet në orën 4.30 të mëngjesit, merr çantën e punës dhe niset me furgon në drejtim të fshatit Poroçan. Report Tv ishte një ditë me Skerdilajdin se si fillon një ditë pune e tij.
Rruga nuk është ndër më të mirat por e gjatë dhe kjo e bën Skerdilajdin të përgjumet edhe pse me mbërritjen e pret sërish një sfidë. Në orën 7 ai është në fshatin Poroçan.
Këtu nis edhe aventura e tij e përditshme. I vetëm do të ndjekë një shteg dhish për 1 orë e gjysmë për të mbërritur në fshatin Gjerë atje ku ai jep mësim. Kjo rrugë nuk është vetëm ecje, por sfidë pasi balta e krijuar nga reshjet, frika e kafshëve të egra dhe terreni i thyer e bëjnë atë të tmerrshme për të riun. Mësues Skerdi tregon se një nga këto ditë është përballur me një ujk dhe ka arritur ti shpëtojë mrekullisht sulmit.
Skerdilajd Murati është shembulli se si kjo sakrificë vazhdon akoma, duke u rikthyer në kohën e mësimdhënies së Migjenit.
Nxënësit e tij e presin me padurim. Është ai që mban hapur këtë shkollë pasi jep lëndën e gjuhës dhe letërsisë. Në të kundërt duhet të ecin me orë të tëra për të shkuar në shkollën më të afërt.
Të përgatitur dhe me shumë dashuri për shkollën, fëmijët e Porocanit e kuptojnë mësuesin e tyre të ri madje edhe nëse ai vendos të largohet, pasi vështirësitë për të shkuar apo qëndruar në fshatin e largët Gjerë janë epike.