Report TV - Rama: Do ndërtohen hotele me 5 yje, i pari në Valbonë nga sponsori i PD

2018-05-09 0

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të kryetarit të PD, Lulzim Basha se qeveria po lejon ndërtimin e hoteleve me 5 yje për pastrimin e parave të drogës.

Rama solli në vëmendje kërkesën e ndërtuesit Avni Ponari i cili sipas tij ka kërkuar të ndërtojë një hotel me 5 yje në Valbonë. Sipas Ramës, Ponari është sponsor i PD, ndërsa ngriti pyetjen, duke iu referuar akuzave të Bashës, se paratë e kujt po investon ky ndërtues.

"Avni Ponari, ndërtues dhe sponsor i PD, kërkon të ndërtojë një hotel me 5 yje në Valbonë. Po pastron para? Të Kujt? Po investon para të tij legjitime. Kjo është kërkesa e parë. Dhe ndryshimi mes nesh dhe jush, mes meje dhe atij që foli përpara meje, është ky unë nuk i ndaj shqiptarët në të tanët dhe të tyrëve. Po e mbyll me Papën Lul, ai thotë "nuk rritesh dot nëse nuk e pranon vogëlsinë tënde". Në përpjekjen për t'u bërë një kopje e të madhit, që s'ka ardhur akoma dhe pozën për t'u bërë Luli i të varfërve, je një kopje e pagëlltitshme e "Lulit të vocërr"", tha Rama.