Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Rama tha se treguesit ekonomikë flasin për një klimë pozitive, ndërsa parashkimet janë se për vitin 2018 rritja ekonomike do arrijë shifrën 4%.
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria ka rritjen ekonomike më të lartë në rajon dhe një paketë fiskale nxitëse dhe stimuluese për formalizimin e ekonomisë dhe zhvillimin e biznesit. Pavarësisht shifrave optimiste, Rama tha se nuk ka vend për festë, kjo pasi, sipas tij, qytetarët presin shumë me tepër.
"Shqipëria ka rritjen ekonomike më të lartë në rajon. Këtë e thotë edhe BE. Për ne këto shifra nuk duan të thonë aspak se njerëzit duhet të ngrihen në këmbë dhe të duatrokasin qeverinë, apo të ndjehen të lumtur. Ne nuk jemi aspak të lumtur, sepse duam shumë më tepër. Jemi të bindur se me buxhetin 2018 vendosim një bazë të re për të bërë shumë më tepër. Dhe faktikisht e tregon këtë shifra e rritjes së të ardhurave në buxhetin e vitit 2018 e cila kap nivelin 28.1% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Buxheti do financojë një ulje të mëtejshme të nivelit të borxhit publik. Vitin e ardhshëm borxhi do reduktohet në 2.5%. Paketa fiskale përmes reduktimit të pragut të TVSH deri në 2 milionë lekë do nxisë formalizimin e ekonomisë me një kosto të papërfillshme në raport me gjithçka është thënë për biznesin e vogël".