Report TV - Mogherini, Presim që 2018 të ofrojë një mundësi unike për Shqipërinë

2018-05-09 0

Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini, i ka bërë thirrje Shqipërisë të zbatojë Reformën në Drejtësi dhe Vettingun, duke ofruar njëkohësisht dhe mbështetjen e BE për këto reforma të rëndësishme.

Nga Brukseli, ku ka dalë në një konferencë pas takimit me ministrin Ditmir Bushati, Mogherini tha se Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për anëtarësimin në BE. Ajo deklaroi se viti 2018 do të ofrojë mundësi unike për rajonin, por edhe për Shqipërinë.
?Besoj te rruga e Shqipërisë drejt BE. Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për negociatat, një sistem drejtësie jo të korruptuar. Shqiptarët do ta mbështesin këtë reformë, sepse është punuar fort për të. BE do ta mbështesë Shqipërinë për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Pritshmëritë janë të mëdha për zbatimin e Vettingut, ne do jemi në krahun tuaj për këtë çështje. Kemi diskutuar për rrugën e shtetit ligjor dhe krimin e organizuar. Shqipëria duhet të jetë e këmbëngulur për të luftuar krimin. Presim që 2018 të ofrojë një mundësi unike për rajonin dhe për Shqipërinë. Presim hapa konkret për Shqipërinë në vitin 2018, procesi i integrimit është i pakthyeshëm?, tha Mogherini.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaroi se Shqipëria do të vijojë me zbatimin e reformave të rëndësishme në vend. Bushati tha nga Brukseli se viti 2018 do të jetë vendimtar për Shqipërinë, duke shtuar se hapja e bisedimeve do të sigurojë më tej një sens orientimi. Ai theksoi se qeveria do të vijojë luftën ndaj krimit.

?Shkëmbyem pikëpamje rreth progresit të Shqipërisë në procesin e zbatimit të marrëveshjes së asociimit me BE. Shqipëria ka filluar punën teknike për zbatimin e detyrimeve që do burojnë nga negociatat. Presim që viti 2018 të jetë një vit vendimtar për Shqipërinë dhe besojmë se hapja e bisedimeve do sigurojë më tej një sens orientimi. Reforma në Drejtësi është një mundësi unike, i ka dhënë rol të paprecedentë monitorimit të ndërkombëtarëve. Diskutuam dhe për rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht luftës kundër kultivimit të kanabisit. Kjo dëshmon vullnetin për të rrënjosur ligjin në vend. Do vazhdojmë bashkëpunimin e mëtejshëm politik me të gjithë faktorët politikë në Shqipëri, në përputhje të marrëveshjes së 18 majit, që siguroi vazhdimësinë e duhur të reformave?, deklaroi Bushati.