Operacioni ?Forca e Ligjit? ka shënuar goditjen e parë ndaj një grupi kriminal që në skedën operacionale figuronte me aktivitet në veprimtari të rënda ku përmenden trafik droge, vrasje dhe rrëmbime në zonën e Fierit. Tre persona të dyshuar si pjesëtarë të këtij grupi kriminal u arrestuan. Në pranga ranë Kujtim Kuçi, 45 vjeç, Bashkim Ahmeto (Kuçi), 43 vjeç, të dy nga fshati Sulaj i Fierit, si dhe Dritan Tusha, 47 vjeç, Shijaku. Atyre iu sekuestruan armë e lëndë narkotike.
Ky është momenti i ndërhyrjes së njësisë operacionale në lokalin në pronësi të Kujtim Kuçit, në fermë Çlirim. Dy pistoleta ?Glock?, 1 pako me kanabis, 8 telefona celularë e 900 euro, u bllokuan nga policia. PO ashtu personat e mësipërm kishin në posedim edhe 4 automjete të blinduara 2 armë gjahu, një dedektor valësh.
Këta persona dyshohet se ndër vite kanë trafikuar lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe kanabis, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjithashtu dyshohen se kanë qenë të përfshirë në disa ngjarje të rënda si vrasje, rrëmbim personi etj. Paralelisht me hetimin penal, Policia ka nisur edhe hetim për të gjitha pasuritë që zotërojnë anëtarët e grupit, të dyshuara për pastrim parash.
Policia ka sekuestruar, 1 kompleks shërbimesh në fshatin Fermë Çlirim, ku përfshihet hoteleri, restorant, pikë karburanti, 2 automjete, 2 banesa në Tiranë dhe 1 në Golem etj. Të tre ata duhet të përballen me akuzat e "Prodhimit e shitjes së narkotikëve", "Armëmbajtje pa leje?. dhe "Pastrim parash".
Tv Klan