TIRANE - Pas një seance maratonë prej më shumë se 3 orë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të lërë në burg deri në përfundim të hetimeve gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri të dyshuar për veprën penale të korrupsionit të funksionarëve të drejtësisë.
Ish-gjyqtari i çështjes "Gërdeci" dhe "Fullani" u ndalua orët e para të mëngjesit të së premtes në kuadër të hetimit për marrjen e 20 mijë eurove në këmbim të lirimit të të dënuarit për vrajse Gentian Doda. Në shtëpinë e Mirit gjatë kontrollit të policisë u gjet një shumë monetare me vlerë 340 milionë lekë të vjetra, të cilat nuk rezultonin në formularin e deklarimit të pasurisë nga ana e gjyqtarit.
Seanca e kësaj të diele u zhvillua pa praninë e mediave, ndërsa gjyqtari Miri i pranishëm në sallë mësohet se ka kërkuar lirim nga qelia dhe hetim në gjendje të lirë. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe avokati i tij Ardian Visha i cili deklaroi se gjyqtari Miri vuan nga një sëmundje tumorale në kokë dhe paratë e gjetura në shtëpinë e tij do të përdoreshin për kurimin e gjyqtarit.
Sipas Vishës një pjesë e parave të gjetura në shtëpinë e gjyqtarit ishin të deklaruara. "Shuma e parave është relative në kushtet e kohës sonë kapitaliste ku jetojmë, ky gjyqtar ka kohe që punon. Nuk është paraja e tij e gjitha. Një pjesë ishin të tijat ndërsa të tjerat ishin pjesë e një marrëveshje kontraktuale me një familjarë. Parat do të përdoreshin për kurimin e tij. Po të kishte prova për arrestim ta bënin para kontrollit të banesës ose paralelisht, jo kështu. Para së gjithash kërkonim nga prokuroria të mbështeste në prova qëndrimin e saj e të interpretoi pse kontroll banese në nëntor për një ngjarje të ndodhur në maj? Parat e gjetura janë të familjarëve të gjyqtarit. Veprimi është i ligjshëm tha Visha.