Me urdhër të prokurorisë së krimeve të rënda policia ndaloi të enjten në mbrëmje Shkëlqim Mirin, gjyqtar i apelit të Tiranës. Mbi 46 vjeçarin rëndon akuza e korrupsionit pasiv dhe aktiv. Miri ishte nën hetim prej janarit të këtij viti, pasi dyshohet se ka ndryshuar akuzën për një të dënuar për vrasje të dyfishtë. Mësohet se në këmbim të 30 mijë eurove gjyqtari rikualifikoi e veprën penale për Gentian Dodën i akuzuar për një vrasje të kryer në vitin 1997. Nga vrasje, me vendim të Gjykatës së Apelit të Tiranës, me 7 Qershor Doda u akuzua për plagosje të rëndë.
Disa orë pas arrestimit të Mirit, policia arrestoi po me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Alban Bucin. Ky dyshohet se është personi që ka shërbyer si ndërmjetës tek gjyqtari Miri, në favor të Gentian Dodës. Në kërkim është shpallur edhe vetë Gentian Doda dhe një person tjetër nga Fushë- Kruja që dyshohet se ka kryer pagesën e parave. Emri i këtij të fundit nuk bëhet i ditur. Një pjesë e parave të paguara tek gjyqtari sipas burimeve të policisë janë transferuar nga Anglia, fakt ky i dokumentuar nga hetuesit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë kontrolloi banesën e gjyqtarit mesditën e të enjtes, ku dhe gjeti një shumë të madhe parash.
Aktualisht gjyqtari ndodhet i izoluar në Drejtorine e Policisë së Tiranës. 46 vjeçari është pyetur nga prokuroria në prani të avokatit Ardian Visha. Sipas burimeve gjyqtari ka pretenduar se paratë janë të familjarëve të tij dhe një pjesë e vogël kursime nga puna. Në përfundim të seancës së pyetjeve që zgjati vetëm 30 minuta avokati Visha nuk pranoi të bëjë komente. Policia ka kryer kontrolle edhe në banesën e Alban Bucit, të personit të liruar Gentian Doda, si dhe të personit të shpallur në kërkim nga Fushë- Kruja. Këta dy të fundit nuk janë gjetur në banesë.
Ditën e diel Shkëlqim Miri pritet të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda per tu njohur me masën e sigurise. Prokuroria do të kerkojë burg pa afat për të.
Gjyqtari ka qënë nën pergjim dhe pikërsiht këto materiale janë prova më e fortë që ka prokuroria. Grupi hetimor nuk jep detaje nëse edhe 2 gjyqtarët e tjerë të trupës që liroi Gentian Dodën ku mësohet se njëri prejj tyre ka qenë kundër ndryshimit të akuzës për të pandehurin.