Me urdhër të prokurorisë, policia ka ndaluar mbrëmjen e të enjtes Shkëlqim Mirin, gjyqtar i Apelit të Tiranës. Mbi 46 - vjeçarin rëndon akuza e korrupsionit pasiv. Miri ishte nën hetim prej Janarit të këtij viti, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se ka ndryshuar akuzën për një të dënuar për vrasje të dyfishtë.
Sqarohet se në këmbim të 20 mijë eurove, gjyqtari ka ndryshuar rikualifikimin e veprës për Gentian Dodën, i akuzuar për një vrasje të kryer në vitin 1997. Nga vrasje me vendim të gjykatës së Apelit Tiranë, Doda tashmë akuzohet për plagosje të rëndë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë kontrolloi banesën e gjyqtarit mesditën e të enjtes, ku dhe gjeti një sasi parash.
Aktualisht gjyqtari mbahet ne qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. 46 - vjeçari është marrë në pyetje nga prokuroria në prani të mbrojtësit të tij Ardian Visha. Burimet sqarojnë se Miri ka thënë se paratë janë të familjarëve të tij dhe një pjesë e vogël kursime nga puna.
Në përfundim të seancës së pyetjeve, e cila zgjati vetëm 30 minuta avokati i tij nuk pranoi të kometojë.
Ditën e dielë, Shkëlqim Miri pritet të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t'u njohur me masën e sigurisë. Prokuroria do të kërkojë burg pa afat për të.
Gjyqtari ka qënë nën përgjim dhe pikërisht këto materiale janë prova më e fortë që ka prokuroria. Ndërsa grupi hetimor nuk pranon të komentojë nëse ka persona të tjerë nën hetim, duke qënë se trupa gjyqësore që ka dhënë vendimin ka qënë e përbërë nga tre anëtarë, njëri prej të cilëve ka qënë kundër ndryshimit të akuzës për të pandehurin.
Tv Klan