Burime nga grupi i hetimit që po verifikon origjinën e 863 mijë eurove të cilat iu gjetën Orest Sotës në Elbasan në datën 1 nëntor, në përpjekje për t'i ikur një pike kontrolli të policisë, bëjnë me dije se prokurorët e Krimeve të Rënda gjatë këtyre ditëve janë përqendruar të lidhjet e mundshme mes biznesmenit dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Gjetja e patentave të Tahirit për mjete lundrimit në automjetin e Sotës, është bërë shkak që Prokuroria të nisë verifikimet ndaj deputetit socialist.
Nga informacioni në rrugë jo zyrtare Shqiptarja.com mëson se nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS që kjo prokurori ka ngritur pretendimin se nga pika e Muriqanit ka dalë me makinën e tij Orest Sota. Po të njëjtat burime pretendojnë se kanë zbuluar që nga kjo pikë në të njëjtën ditë ka dalë me makinën e tij edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Nëse prokurorët kanë mbërritur në këtë përfundim atëherë jemi përballë një kontradikte të madhe e cila mbetet për t?u sqaruar.
Publikisht kohë më parë ish ministri Saimir Tahiri ka deklaruar se nuk ka në pronësinë e tij asnjë makinë. Ndërkohë ngrihet edhe një tjetër pretendim nga prokurorët se nga verifikimet në TIMS është zbuluar se në kthim, ish-ministri i Brendshëm Tahiri ka hyrë në territorin shqiptar nga pika kufitare e Muriqanit, duke përdorur automjetin në pronësi të Orest Sotës.
Ndërsa ky i fundit sipas burimeve nga prokuroria ka hyrë në territorin shqiptar nga pika e Murriqanit duke përdorur automjetin e Saimir Tahirit. Pritet që në ditët në vijim prokuroria të kryejë dhe një sërë veprime të tjera shtesë, pasi tashmë në këtë hetim është angazhuar dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës. Nuk dihet ende përse është përfshinë kjo drejtori në këto hetime.