PS: Basha nuk guxon te shprehet per Kapllanaj

2018-05-08 1

Një ditë pasi njoftoi se do t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pavlefshmërinë e mandatit të kryebashkiakut demokrat të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, Partia Socialiste i ka kërkuar sot Partisë Demokratike që të mos mbrojë këtë të fundit.

Në një dalje nga kryesia e Kuvendit, deputetja socialiste Klotilda Bushka tha se Kryeministri Edi Rama dhe kjo mazhorancë kanë dhënë shembullin e përjashtimit dhe nënshtrimin ndaj organeve të drejtësisë të të gjithë individëve për kundërligjshmëri. Ndërsa në rastin e Kapllanaj, ajo tha se Basha jo vetëm që nuk ka marrë asnjë vendim, por as nuk guxon të shprehet publikisht për rastin.

"Ju kujtoj këtu rastin e kryebashkiakut të Kavajës, i cili u shkarkuar nga detyra me vendim të Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Ndërsa Lulzim Basha, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë vendim për përjashtimin e Kapllanajt nga forumet e partisë, por nuk guxon as të shprehet publikisht për rastin ashtu siç i takon kryetarit të partisë që e kandidoi dhe i dha fatin e keq të gjithë mallakastriotëve, të drejtohen nga një person i dënuar për vjedhje".

Kërkesa e 49 deputetë socialistë erdhi pas vendimit të KQZ që nuk pranoi ndërprerjen e mandatit të Kapllanaj kërkuar nga selia rozë, e cila pretendon se ai preket nga ligji i Dekriminalizimit pasi rezulton i dënuar me 2 vite burg, për vjedhje në Itali në vitin 2004.

Por Partia Demokratike e quajti kërkesën e socialistëve drejtuar Gjykatës Kushtetuese pa asnjë efekt ligjor pasi KQZ është shprehur 2 herë për këtë çështje se nuk përfshihet në kohën e përcaktuar nga ligji./tvklan.al

Free Traffic Exchange