Report TV - CEZ, PS: Dosja kishte peshq të mëdhenj, prokuroria e varrosi

2018-05-08 0

Deputeti i PS, Ulsi Manja deklaroi se prokuroria varroi dosjen e CEZ, e cila kishte disa peshq të mëdhenj, ndërsa nuk është marrë në konsideratë asnjë gjetje e komisionit hetimor të Kuvendit. Ai u bëri thirrje të gjithë prokurorëve që të distancohen nga politika.
?Prokuroria po përpiqet të mbyllë një nga dosjet më të qarta të korrupsionit, të privatizimit të CEZ pa marrë një pyetje asnjë person të akuzuar dhe asnjë dëshmitar. Nuk ka marrë në konsideratë asnjë prej gjetjeve nga komisioni hetimor.

Prokuroria u ngrit brenda ditës për të arrestuar një deputet, ndërsa tani jo vetëm nuk e vendos ujin në zjarr me emra peshqish të mëdhenj e të vegjël, por ka kërkuar mbylljen e saj. Kush janë këto prokurorë, kush ua ka dhënë këtë pushtet që të sillen si tregtarë me drejtësinë.

Prokuroria po bën pazare, e di gjithë Tirana, prokuroria po shfaqet hapur si vegël e politikës. Po provon një kalbëzim të sistemit, por nuk ka për ta ndaluar orën e drejtësisë së re. Edhe sikur të gjejë në gjykatë të tredhur edhe të korruptuar si ata që e cuan për varrosje dosjen e CEZ.

Thirrje prokurorëve të ndershëm që të presin Vettingun me qetësi dhe të distancohen të mos vazhdojnë që të marrin më urdhra. Është ora që peshqit e mëdhenj të shkojnë para drejtësisë? deklaroi ai.

Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës mbylljen e dosjes së CEZ, referuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas një hetimi disamujor. Kërkesa drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për mbylljen e dosjes i është dërguar edhe Kuvendit të Shqipërisë.

Në raportin e komisionit hetimor, i miratuar nga Parlamenti, dëmi ekonomik i shkaktuar nga veprimet dhe mosveprimet e mbi 17 ish-funksionarëve shtetërorë ishte 450 milionë euro.