Thatësira e tejzgjatur e këtij viti, si dhe ndikimet e pashmangshme të saj në sektorin e energjetikës në Shqipëri është një nga rreziqet kryesore për realizimin e parashikimeve për të ardhurat dhe shpenzimet lidhur me buxhetin e vitit 2018. Ky shqetësim është një ndër preokupimet kryesore, e nënvizuar kjo dhe në relacionin shoqërues të projektligjit për buxhetin e shtetit, që është dorëzuar tashmë nga qeveria në Kuvend dhe ka filluar diskutimi i tij.
Aktualisht niveli i ujit në liqenin e Fierzës, rezerva hidroenergjetike më e madhe në vend, është 264.2 metra mbi nivelin e detit, çka do të thotë 24 metra më pak se niveli i nëntorit të vitit 2016, por edhe mjaft larg mesatares historike, që është në 275 metra. Për më keq, edhe prurjet ujore të lumit Drin më kaskadën e tij, ku janë ngritur tre hidrocentralet më të mëdhenj të vendit, aktualisht janë të papërfillshme: vetëm 30 metra kub ujë në sekondë, shumë më pak se edhe në verë.