Tritol në hyrje të apartamentit Kryebashkiakut

2018-05-08 0

Banorët e një pallati në lagjen "Drita" të Burrelit janë tronditur nga një shpërthim i ndodhur pas mesnate.

Një sasi tritoli është vendosur në sheshpushimin e brendshëm të një pallati rreth orës 00.40.

Sasia e lëndës plasëse, që dyshohet të ketë qenë rreth 50 - 100 gramë, ishte vendosur mes dy dyerve apartamentesh në katin e 4 të një pallati 5 katësh.

Burime zyrtare thonë se një prej banesave është në pronësi të kryetarit të Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani."Lënda plasëse ishte vendosur në sheshpushim, me një distancë 160 cm larg derës së banesës të M.B, rreth 55 vjeç, dhe 2 metra larg derës së banesës të N.R, 53 vjeç, Kryetar i Bashkisë Mat. Në të dy banesat nuk ka patur asnjë njeri", sqaron policia në një njoftim të sajin.

Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen në fjalë.