Report TV - 'Himara', Rama tre pyetje Bashës, kreu i PD s'përgjigjet

2018-05-08 0

Himara dhe marrëveshja e detit me Greqinë, kanë nxitur debate mes kryeministri Edi Rama dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha në seancën e Kuvendit të kësaj të enjte, debat ku u përfshinë edhe ish-kryeministri Sali Berisha e kryetari i PDBNJ, Vangjel Dule. Rama ka kërkuar shpjegime nga Basha se pse një ditë më parë përfaqësuesit e PD ishin në Himarë dhe iu bashkuan protestës kundër shembjes së ndërtesave. Kreu i qeverisë i kërkoi nga foltorja e Kuvendit llogari direkte shefit të opozitës.

Rama vërejti se deputetët e PD mbërritën në Himarë pas letrës së kreut të opozitës greke drejtuar BE, i cili shkruante se po cenoheshin interesat e minoritetit grek.

"Lulzim, eja këtu dhe jepu përgjigje shqiptarëve çfarë donte PD dje në Himarë? Pse e bashkoi PD zërin me ata që nxjerrin bishta pa asnjë bazë, lidhur me një projekt të Rilindjes Urbane në Himarë. Eja këtu dhe jepu përgjigje shqiptarëve tani, se çfarë është Himara për ty dhe çfarë shkeljesh ka bërë qeveria në përpjekje për ta kthyer nga një Bathore me det në një gji turistik mesdhetar.

Si ka mundësi që PD u shfaq në Himarë të nesërmen e një letre të kryetarit të opozitës greke drejtuar BE për gjoja shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në Himarë. Pse PD është kthyer në një altoparlant propagande të shfrenuar kundër përpjekjes shqiptare në bashkëpunim me BE për hapjen e negociatave", tha Rama.

Por pyetjeve të kryeministrit Rama, kreu i opozitës Basha iu përgjigj me akuza për trafikun e drogës dhe jo për prezencën e Flamur Nokës dje në Himarë. "Ti je më i madhi i madhi i kastravecëve...droga është eksporti jot, i ke vënë kazmën vendit", tha Basha duke shmangur përgjigjet për pyetjet e Ramës.

Marrëveshja e detit e firmosur nga Basha kur ishte ministër i Jashtëm, për kryeministrin Edi Rama është cenim i integritetit territorial të vendit. "Lulëzim, keni shitur një pjesë të territorit me firmën tuaj. Keni shkelur interesin kombëtar, kushtetutën e vendit dhe firmosët një marrëveshje që cenon integritetin territorial të këtij vendi. Prandaj sot kemi një dialog të vështirë me fqinjët", tha Rama.