Pamjet që shihni nuk vijnë nga Afganistani apo nga vende të botës së tretë, por nga një pikë shitje mishi në qendër të qytetit të Lezhës.
Mishi tregtohet jashtë çdo kushti higjeno-sanitar në mes të pluhurit të rrugës, ndërsa edhe transporti i tij me furgon bëhet në kushte skandaloze. Në pamjet e siguruara ekskluzivisht nga Report Tv duket sesi mishi hidhet në dyshemenë e një furgoni dhe transportohet në drejtim të dyqaneve.
Një aksion i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Lezhë bëri të mundur bllokimin e rreth 350 kg mish i cili tregtohej jashtë çdo standardi si dhe bllokimin e një dyqani që tregtonte mish.
Ndërkohë burime nga AKU në Lezhë bëjnë të ditur se subjekti i bllokuar është në pronësi të Nush Thercaj. Ndërkohë, AKU vijon kontrollet në të gjitha pikat e shitjes së mishit për plotësimin e standardeve të tregtimit.