Mëngjesin e kësaj të marte, Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit nisi shembjen e 22 objekteve pa leje në Himarë, në kuadër të fazës së dytë të rikualifikimit urban të qendrës së qytetit.
Për 12 ndërtime, gjykata ka vendosur pezullimin e vendimit të prishjes, deri në shqyrtimin e plotë të çështjes, ndërsa një pjesë e banorëve kundërshtuan aksionin e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Në mbështetje të aksionit janë aktivizuar rreth 163 forca policie dhe efektivë të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Policia njoftoi se shoqëroi një person që tentoi të ndezë një autobot me gaz brenda një objekti të planifikuar për t'u shembur. Të tjerë banorë u shfaqen me flamuj grekë dhe amerikanë.
Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule thotë se ky aksion cënon identitetin e banorëve.
Për prishjen e objekteve në Himarë reagoi pak kohë më parë edhe qeveria greke, që e cilësoi si shkelje të të drejtave të pronësisë së anëtarëve të minoritetit grek.
Qeveria shqiptare sqaroi se prishja e ndërtimeve pa leje në rastet e rikualifikimeve urbane ka ndodhur në shumë qytete të vendit, duke e quajtur e provokuese dhe të paprecedentë ndërhyrjen e qeverisë greke.
Sipas Tiranës zyrtare përfshirja në debatin e brendshëm politik në Shqipëri, përbën një shkelje të praktikës diplomatike të frymës së fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.
Tv Klan