Nis gjyqi per banden e Habilajve

2018-05-08 4

Grupi i Habiljave doli paradite para gjykatës së Katanias. Shtatë anëtarë të tij u përballën sërish me trupin gjykues, pasi kishin kërkuar rivlerësimin e masës së sigurisë arrest me burg.

Mes tyre ishte edhe Moisi Habilaj, i konsideruar si kreu i bandës. Pala mbrojtëse sqaroi se në këtë seancë u bë vetëm prezantimi i kërkesës dhe gjykata do të duhet të vendosë brenda ditës së mërkurë për kërkesën.

Grupit pritet t?i bashkohet edhe Nezar Seiti, i cili u arrestua në Shqipëri. Prokuroria e Katanias e cila kreu hetimet, ka sjellë në Tiranë një grup oficerësh të Guardia di Financa, për t?i dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme fashikujt hetimor per katër persona të grupit të cilët nuk u arrestuan, pasi nuk gjendeshin në territorin italian.

Në veçanti oficerët italianë kanë sjellë fakte dhe të dhëna mbi Nezar Seitin, i arrestuar në Vlorë në datën 20 Tetor, për të cilin prokuroria italiane kërkon ekstradimin e tij. 40-vjeçari sipas hetuesve italianë, ka qenë një ndër personat më të rëndësishëm të grupit përgjegjës për zbarkimet e drogës në Itali. Kreu i bandës, Moisi Habilaj si dhe dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë Maridian Sulaj dhe Fatmir Minaj u arrestuan më 14 Tetor. Bashkë me ta u ndaluan edhe 4 italianë.

Prokuroria shqiptare po heton paralelisht për grupin e Habilajve dhe ka përfshirë në hetime edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili në Itali nuk është mes të hetuarve.