Ka nisur me debate mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit, ku do të diskutohet projektbuxheti i vitit të ardhshëm. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj prezantoi draftin përpara deputetëve, por kjo nuk kënaqi aspak opozitën PD-LSI, të cilët akuzuan maxhorancën për lidhje me krimin dhe drogën.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho ngriti shqetësimin se situata nuk është aspak normale, duke iu referuar çështjes Tahiri. Ai tha se qeveria ka rënë dhe se ajo që mbetet është të dorëhiqet. "S'mund të sillemi si një situatë normale. Qeveria ka rënë, prandaj duhet të dorëhiqet sepse është e lidhur me drogën. Ne nuk bëhemi pjesë e fasadës, nuk marrim pjesë në këtë mbledhje", u shpreh Spaho, ndërsa pas këtij momenti deputetët demokratë dhe ata të LSI-së lënë Konferencën e Kryetarëve.