Report TV - Ikën kreu i SHISH, Visho Ajazi propozohet Helidon Bendo

2018-05-08 0

Jep dorëheqjen Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika. Ndërsa në vend të tij propozohet Helidon Bendo, i cili ka mbajtur detyrën e zëvendës drejtorit të SHISH që nga prilli i vitit 2016.

Visho Ajazi Lika ia ka paraqitur zyrtarisht largimin nga detyra kryeministrit Edi Rama, ndërsa ky i fundit i propozoi Presidentit Ilir Meta emrin e ri, atë të Bendos, gjatë një takimi të zhvilluar mesditën e sotme. Vetë e zyra e shtypit pranë Kryeministrit ka dhënë detaje nga takimi duke konfirmuar se "Rama i propozoi Metës lirimin e Drejtorit te Sherbimit Informativ, Visho Ajazi, dhe emerim ne kete detyre te zv.drejtorit te Sherbimit Informativ, Helidon Bendo".

"Propozimi i kryeministrit per lirim dhe emerim ne krye te Sherbimit Informativ Shteteror, erdhi pas doreheqjes nga detyra te drejtorit te ketij sherbimi, te cilen kryetari i qeverise e mirepriti duke e falenderuar zotin Visho Ajazi per kontributin e tij", thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Visho Ajazi Lika u emërua në detyrën e drejtorit të SHISH në gusht të vitit 2012 nga Kryeministri Sali Berisha dhe me dekret të Bujar Nishanit, por ligji përcakton se mandati i drejtorit të Shërbimit Informativ është i pakufizuar, duke lënë vetëm dy opsione për largimin e tij: ose me vendimmarrje personale të drejtorit të SHISH-it, ose me konsensus Kryeministri-Presidencë.

Sipas ligjit, shefi i Shërbimit Informativ propozohet nga Kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti. Helidon Bendo duhet të marrë dekretin e Presidentit të Republikës përpara se të ulet në karrigen e drejtorit të ri të SHISH.