Deputetët e PD braktisën punimet e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, pas përplasjes me kryetarin e komisionit, Erion Braçe. Shqiptarja.com ka siguruar videon e momentit të debatit dhe largimit të deputetëve të opozitës.
Debati lindi gjatë prezantimit të raportit për buxhetin faktit 2016 nga kreu i KLSH, Bujar Leskaj. Sipas PD, raporti në disa pika bie ndesh me buxhetin faktik të përgatitur nga Ministria e Financave. Edmond Spaho hodhi akuza për qeverinë pasi sipas tij kjo është një ekonomi kriminale dhe vendi është tejmbushur me hashash. Sipas tij këtë e vërtetojnë edhe akuzat ndaj ish-ministrit Tahiri.
Pas këtyre akuzave, kreu i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho është larguar nga komisioni i Ekonomisë dhe menjëherë pas tij edhe deputetët demokratë. Pas largimit të demokratëve, drejtuesi i komisionit Erion Braçe kërkoi që në qendër të debatit të jetë ekonomia dhe jo deklaratat politike. Por pavarësisht largimit të demokratëve, deputetët e LSI nuk lëvizën nga vendi, duke mos iu bashkuar bojkotit.