Vetëm dy muaj më parë ishte një djerrinë që shërbente si parkim automjetesh, kurse sot është shndërruar në një nga këndet më të bukura të Tiranës, si për fëmijët që luajnë, edhe për të moshuarit që kalojnë kohën. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e ambasadës çeke, përfundoi punën për këndin rekreativ në sheshin ?Bajram Curri? në Njësinë 7, që është edhe një nga zonat me dendësi të madhe popullsie, ku mungonin hapësirat çlodhëse për banorët.
Këndi i ri u hap për fëmijët në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorit çek në vendin tonë, Jaroslav Ludva, të cilët shprehën kënaqësinë që ky bashkëpunim u finalizua me sukses brenda një kohe mjaft të shkurtër. ?Unë dhe Davidi jemi shumë të kënaqur sot, ky është këndi i 25-të i lodrave. Kemi gjetur disa miq fantastikë tek ambasadori çek dhe ambasada çeke, sepse ishim këtu vetëm para pak javësh dhe kjo hapësirë ishte një pirg i madh me dhera, një hapësirë komplet e degjeneruar; sot është një kënd fantastik?, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai theksoi se realizimi i këtij projekti, ashtu si dhe në çdo investim tjetër i bërë nga Bashkia e Tiranës, ka ngjallur menjëherë interesin e banorëve, ndërsa u shpreh se shtimi i hapësirave rekreative po i jep mundësi të rinjve që të merren më shumë me aktivitete fizike dhe për të bërë një jetë më të shëndetshme. ?Kur erdhëm ambasadori po më pyeste se herën e parë këtu nuk kishte fëmijë, po tani nga dolën gjithë këta!? Kjo është mrekullia e ndërtimit urban dhe infrastrukturës e këndeve të lojërave. Sa krijohet një hapësirë, dalin të gjithë fëmijët! Do të thotë që fëmijët, qytetarët, janë aty dhe ka ardhur koha që të kemi më shumë terrene të tilla për të lënë telefonin, kompjuterin, televizorin, për të kaluar më shumë kohë në natyrë dhe në ajër të pastër?, shtoi Veliaj.