Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Z. Blendi Klosi, ishte mëngjesin e sotëm në grykëderdhjen e lumit Erzen, ku inspektoi nga afër aksionin e pastrimit nga mbetjet spitalore të hedhura përgjatë zonës, një situatë krimi mjedisor denoncuar pak ditë më parë në media.
I shoqëruar nga përfaqësues të strukturave të mjedisit të qarkut dhe bashkisë Durrës, ministri Klosi pa nga afër ndotjen e shkaktuar duke u shprehur për mediat se është e pafalshme që në një zonë me potenciale të mëdha zhvillimi turistik në vend të evidentohet një numër kaq i madh mbetjesh spitalore të cilat padyshim kanë një autor. Minsitri Klosi theksoi bashkëpunimin edhe me organet e rendit për të vënë para përgjegjësisë autorin konkret të këtij krimi mjedisor.
I pyetur nga mediat për situatën edhe në grykëderdhjen e Ishmitm ministri Klosi bëri me dije se situata në lumin Ishëm, padyshim është një shqetësim i Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit, por tashmë është bërë një investim goxha të madh me fondet e qeverisë shqiptare gjatë këtij viti ndërkohë që ministria nëpërmjet zv.ministres Çuçi është në një aksion shumë të madh për të evidentuar të gjithë shkelësit e ujërave në vend dhe deri tani janë evidentuar plot 800 raste ku biznese të ndyshme që kanë komunikim me lumenjtë dhe bregdetin nuk zbatojnë lejen mjedisore.
Në fund të fjalës së tij, ministri Klosi apeloi qytetarët që të denoncojnë në platformën e bashkëqeverisjes çdo krim mjedisor sepse mjedisi është një pasuri jonë e përbashkët.