Në Projektbuxhetin 2018 tendenca e përhershme e pakësimit të administratës publike është ndjekur, por në shifra minimale. Vitin e ardhshëm qeveria propozon që të jenë në punë me pagesë si punonjës buxhetorë 81 mijë e 410 vetë, ndërkohë që për këtë vit janë planifikuar 81.718 punonjës. Pra, stafet e administratës do të pakësohen me 308 vetë. Por, ndërkohë, pritet që të ndodhë një shtesë e mëvonshme, pasi, po në këtë dokument, parashikohet edhe një grup prej 230 vetësh, që do të jenë si rezervë për institucionet e reja të drejtësisë, që do të krijohen.
Kjo, ndërkohë që janë të përfshirë në buxhet 50 punonjës për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe 37 të tjerë për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, çka do të thotë që planifikohen 317 vende në administratën e magjistraturës, nga të cilët, për 230 prej tyre ende nuk janë përcaktuar afatet se kur do të fillojnë punë.