?Të zbresim aty dhe të mbledhim më shumë të ardhura duke bërë presion mbi sipërmarrjen, nuk është ky qëllimi. Të tentojmë të përdorim instrumenta më të zhdërvjellët se sa thjeshtë prezenca në sipërmarrje nëpërmjet transaksioneve, duke komunikuar e duke i treguar më pas që transaksione e tyre janë në vëzhgim.?, ka deklaruar Ministri Arben Ahmetaj ditën e djeshme.
Vetëm një ditë pas kësaj deklarate, e kundërta ka ndodhur në terren. Dhjetra inspektorë të tatimeve janë dyndur nëpër zona të ndryshme të Tiranës duke kontrolluar e gjobitur një numër të madh biznesesh të vegjël. Gjobat e inspektorëve të tatimeve kanë varjuar deri në 500 mijë lekë të reja dhe bllokim të biznesit deri në momentin që do të paguhet gjoba.
Pronarët dhe punonjësit e këtyre bizneseve nuk kanë pranuar të flasin para kamerave me frikën e një hakmarrje të mundshme nga ana e tatimorëve, por jashtë kamerës kanë sqaruar se pse janë gjobitur. Ka pasur edhe nga ato raste kur masa administrative është vendosur për ndryshimin e emërtimit të produktit në kuponin e prerë. Ky aksion i papritur ka shkaktuar frikë edhe në disa biznese, të cilët në kushtet e mungesë së informacionit kanë zgjedhur më mirë të ulin qepenin.