Report TV - Durrës,spastrohet porti i peshkimit nga jahte e anije të ankoruara në të

2018-05-04 2

DURRËS- Një urdhër i mbërritur gjatë ditëve të fundit nga Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, ka vënë në lëvizje Autoriteti Portual Durrës, i cili ka urdhëruar largimin e skafeve, gomoneve dhe jahteve nga porti i ri i peshkimit.
Ndonëse ky port nuk plotëson kushtet teknike si dhe nuk ka kapacitetin e nevojshëm për të strehuar flotën e peshkimit, ai teknikisht është boshatisur për ti lënë vendin peshkarexhave.

Por në fakt një urdhër i tillë u mor fill pas ardhjes nga Italia të përgjimeve për trafikun e drogës i cili është realizuar me anë të mjeteve detare, skafe dhe gomone. Pronarët e mjeteve lundruese të ankoruar në këtë port prej vitesh, morën urdhër në fundjavë që të largoheshin nga porti i Durrësit.

Gomonet dhe skafet janë transportuan kryesisht me rrugë tokësore duke u vendosur nëpër karrela, ndërsa jahtet lundruan në jug të vendit dhe një pjesë tjetër në drejtim të porteve malazeze ku edhe do të dimërojnë. Gjithçka është regjistruar nga policia kufitare, bëjnë me dije burime nga Autoriteti Portual Durrës.

Ndërkohë porti i ri i peshkimit edhe pse në letra i përket flotës së peshkimit ende nuk është përshtatur për ankorimin e anijeve edhe pse ministrat e linjës kanë deklaruar nevojën e ndërhyrjes në kalata për ti përshtatur ato. Në këtë port u investuan 11 milion $ në mënyrë që flota e peshkimit të largohej nga rreziku i trageteve gjë që deri tani nuk është realizuar.