Kryeprokurori Adriatik Llalla u tregua mjaft u kujdesshëm kur u pyet për çështjen ?Tahiri?, në përfundim të një aktiviteti të organizuar nga ambasada franceze që kishte në fokus pikërisht luftën kundër trafikut të drogës. Numri një i akuzës nuk pranoi të komentojë deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit kërkesa e organit të akuzës për të arrestuar Saimir Tahirin është pjesë e një plani politik për të rrëzuar qeverinë.
"Prokuroria do të ndjekë hapat procedurialë, siç është përcaktuar në Kodin e Procedurës, në detyrën ë Prokurorit të Përgjithshëm ka detyrimin moral, institucional që të mbështesë veprimet e të gjithë prokurorëve".
Më herët në aktivitetin e ambasadës franceze, Llalla përmendi deklaratën e kreut të Antimafias italiane, Franco Roberti legalizimin e hashashit dhe shqetësimin për sasitë e mëdha të drogës me prejardhje nga Shqipëria. Kreu i prokurorisë drejtoi gishtin nga segmente të policisë, që sipas tij kanë favorizuar trafikun.
"Në fakt, shqetësimi i tij nuk është i ri për Prokurorinë Shqiptare. Zoti Roberti e ka prezantuar atë edhe gjatë takimeve tona zyrtare. Hetimet e Antimafias Italiane, së fundmi, kanë siguruar të dhëna se grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar drejt Italisë tonelata lënde narkotike kanabis në shume raste kjo është realizuar dhe me mbështetjen e individëve që kanë për detyrë goditjen e këtij krimi".
Sipas kryeprokurorit është e një rëndësie të veçantë që të kontrollet vija bregdetare, pasi rastet e fundit kanë treguar se institucionet nuk e kanë bërë si duhet këtë detyrë, që lidhet me monitorimin e hapësirës detare nga sistemi i radarëve.
Tv Klan