Basha: Ramen e ka marre peng Tahiri, Vetting-u ra!

2018-05-04 0

Lulzim Basha thotë se kryeminsitri Rama po bën gjithçka për të penguar hetimin, duke minuar Reformën në Drejtësi dhe Vetingun dhe duke kërcënuar prokurorinë, me deklarata si ato të bëra në grupin parlamentar.

Lulzim Basha

"Ka frikë nga hetimi i pavarur i drejtësisë që do të zbulojë dhe bashkëpunëtorë të tjerë në kupolën qeveritare të krimit të organizuar ndaj po bëjnë gjithçka për ta penguar këtë hetim. Drejtësia është e nëpërkëmbur, e kërcënuar, vettingu është i marrë fund me këtë qëndrim të Edi Ramës që po e përdor për të kërcënuar prokurorët vetëm sepse guxojnë të hetojnë Saimir Tahirin dhe vendi është në një krizë totale kushtetuese, politike dhe morale. Mazhoranca moralisht është e vdekur. Edi Rama de facto ka marrë fund si Kryeministër".

Edhe pjesa tjetër e opozitës, Lëvizja Socilaiste për Integrim akuzoi kryeministrin se me sulmet ndaj prokurorisë është rreshtuar në krah të krimit e trafikantëve.

Monika Kryemadhi

"Shqiptarët sot panë një kryeministër që shantazhon hapur Drejtësinë dhe e kërcënon atë, duke dashur ti lërë shqiptarët në duart e trafikantëve. Fjala e tij sot ishte dëshmi publike jo e qëndrimit të një kryeministri, por e një pazari mes kriminelëve që ndajnë rolet dhe hesapet midis tyre. Kryeministri i përfshirë nga frika dhe paniku kërkoi ti mbyllte gojën prokurorisë pasi ai do që të jetë edhe kryeprokuror, edhe kryegjykatës edhe kreu i organizatave kriminale. Fjala e tij ishte sot një dëshmi publike e strategjisë së tij për ta kthyer drejtësinë shqiptare në një zgjatim të kriminelëve dhe jo në një institucion në luftën ballore kundër krimit, korrupsionit dhe në një drejtësi që të jetë në shërbim të qytetarëve".

Opozita u është drejtuar me një apel edhe ndërkombëtarëve. Lulzim Basha u bëri thirrje Komisionit të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëjnë presion ndaj kryeministrit dhe shumicës qeverisëse për të ndërprerë kërcënimet dhe presionin ndaj drejtësisë. Gjatë pasdites Basha dhe Kryemadhi patën edhe një takim në selinë blu, por zyrat e shtypit nuk dhanë më shumë detaje.

Tv Klan