Tahiri u kap ne flagrance, Rama i ben gjyq prokuroreve

2018-05-04 1

Në pritje të vendimit të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, Kryetari i Partisë Demokratike, në një konferencë për shtyp tha se Kryeministri Edi Rama po e mbron Saimir Tahirin, megjithëse është kapur në flagrancë, dhe se ai po u bën ?gjyq? prokurorëve.

Basha tha se as krimi, as trafiku i drogës, as përfshirja në to dhe as ndarja e pushtetit me kupolën mafioze, nuk mund të bëheshin e nuk janë bërë, pa dijeninë, bekimin, lejen dhe mbrojtjen e Ramës dhe kjo është arsyeja se pse, në vend që t?i hapin rrugën drejtësisë, Edi Rama po mbron Tahirin me imunitetin parlamentar dhe po i bën gjyqin prokurorisë dhe drejtësisë.

Kryedemokrati tha se për 4 vite opozita ka denoncuar me fakte se trafiku i drogës dhe kanabizimi i vendit është bërë me lejen, mbrojtjen dhe për përfitimin pasuror dhe politik të Edi Ramës, Sajmir Tahirit ndërsa Rama për 4 vite ka bllokuar çdo hetim.

?Tani prej 4 ditësh shqiptarët janë ballafaquar me disa fakte të thjeshta dhe të kuptueshme nga të gjithë: antimafia italiane ka paraqitur prova ligjore të trafikut të drogës dhe armëve të kryer nga banda Habilaj e ndihmuar direkt nga Ministri i Brendshëm Saim ir Tahiri dhe drejtues e oficerë të policisë. Dosja Habilaj-Tahiri e drejtësisë italiane ju tregon shqiptarëve dhe gjithë botës, sesi krahu i djathtë i Edi Ramës është kapur në flagrancë në trafik droge, dhe se si krejt shteti është kalbëzuar dhe është vënë në shërbim të trafikantëve.?

Ai akuzoi Ramën se mohon atë që e ka marrë vesh e gjithë bota: se Saimir Tahiri është kapur në flagrancë si bashkëpunëtor, mbrojtës dhe përfitues i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës dhe armëve.

?Arsyeja pse Edi Rama mohon këtë që di e gjithë bota, është e thjeshtë dhe e kuptueshme: Sepse është ai pas Saimir Tahirit, është ai pas cdo Habilaj, është ai pas cdo shefi policie që ka ngarkuar thasët me drogë. Ai si askush tjetër ka përfituar nga qindra milionë euro që erdhën nga droga dhe kanabizimi i krejt vendit, sepse i duheshin për të blerë votat dhe për të mbajtur pushtetin.?

?Kjo është arsyeja pse sot një i akuzuar për trafik droge dhe korrupsion, kërcënon prokurorët duke ju thënë unë trafikoj drogë, e vë shtetin në shërbim të krimit të organizuar, dhe ju nuk më bëni dot gjë. Sepse Tahiri dhe Habilajt janë shteti dhe ligji i Edi Ramës. Po, Edi Rama do që Saimir Tahirit të mos ndalohet, të mos i kontrollohen shtëpitë, të mos i kontrollohen pronat, të mos i kontrollohen makinat, të mos i kontrollohen paratë. Do që Saimir Tahiri të lihet i lirë që të zhdukë provat, të manipulojë drejtësinë, të kërcënojë dëshmitarët, hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit?, tha Basha.

Në përfundim, Basha paralajmëroi se as mbrojtja ndaj Tahirit, as paktet mafioze me të dhe ministrat e tjerë të kapur në flagrancë, as sharjet dhe sulmet ndaj opozitës dhe medias së pakapur, nuk do ta shpëtojnë dot nga e vërteta, nga drejtësia dhe llogaria para qytetarëve./tvklan.al