Report TV - Imuniteti i Tahirit, Ruçi: Shtyhet nesër në 10:00. PD: Skandal

2018-05-04 0

Shtyhet për nesër në orën 10:00 fati i imunitetit të deputetit Saimir Tahiri. Pas kërkesës së avokatit të Tahirit për 3 ditë kohë për të paraqitur mbrojtjen, Ruçi ka pranuar shtyrjen vetëm me një ditë duke e zhvendosur për nesër vendimin.
Kryetari i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve Gramoz Ruçi ka deklaruar se Tahiri ka të drejtë që të mbrohet, ndërsa PD e kundërshtoi duke e cilësuar si skandal. Por Ruçi i kujtoi PD mbledhjet e komisionit për Lulzim Bashën në 2007 që zgjati 6 seanca dhe dy muaj.

Seanca e sotme maratonë filloi në orën 11:00 dhe përfundoi në orën 17:00 me dy ndërprerje. Fillimisht ishte prokuroria që parashtroi akuzat për Tahirin, më pas deputetët i drejtuan pyetjet për të sqaruar pikëpyetjet për kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin.

Pas mbrojtjes së Tahirit, seanca u zhvillua me dyer të mbyllura ku prokuroria deklaroi se do të paraqiste prova sekrete për të bindur anëtarët për të hequr imunitetin e ish-ministrit, por sipas burimeve të Report Tv nuk kishte asnjë gjë të re.

Seanca rifilloi pas mbledhjes me dyer të mbyllura, ndërsa avokati i Tahirit kërkoi 3 ditë kohë për mbrojtjen, por Ruçi nuk pranoi më shumë se një ditë duke e shtyrë për nesër në orën 10:00, vendim që u kundërshtua fuqishëm nga opozita.

Lulzim Basha ka reaguar ashpër pas vendimit për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për nesër në orën 10:00. Basha tha se mbledhja u shty me urdhër të kryeministrit Edi Rama, i cili po mundohet të mbrojë deputetin e përfshirë në trafikun e drogës.