Report TV - Imuniteti i Tahirit,Balla:S’bëhemi pengesë, PS luftë për drejtësi

2018-05-04 0

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Mandateve, të thirrur nga PD për të diskutuar mbi imunitetin e deputetit Saimir Tahiri. Në lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të Tahirit, Balla tha se PS nuk do bëhet pengesë për asgjë kur bëhet fjalë për drejtësinë.
Kreu i grupit të PS tha se nuk do të ketë kurrë votë të PS kundër drejtësisë në Kuvend, duke lënë të kuptohej ndoshta mbërritjen shumë shpejt të ndonjë kërkese të Prokurorisë për ndonjë deputet të PD.

?Nuk do të ketë kurrë në Kuvendin e Shqipërisë votë të Partisë Socialiste kundër drejtësisë, as tani për këtë çështje e as për raste të tjera që mund të vijnë?, shtoi Balla.

Gjithashtu, ai sulmoi ashpër demokratët, teksa tha se ata po luftojnë për pushtet, ndërsa PS po bën luftë për drejtësi dhe do vijojë betejën deri në fund.

"Përpjekje idioteske të Halimit apo Halimëve të gjerë të PD për ta kthyer këtë procedurë ligjore të drejtësisë në një teatër në interes të hallit të PD. Ka një dallim të madh ndërmjet Grupit Parlamentar të PS, PS dhe Ramës, me hallexhinjtë e PD dhe hallexhinjtë e tjerë që i janë bashkangjitur. Ne jemi këtu në një luftë për drejtësi, ndërsa ata në një luftë për pushtet. Duhet tua them të gjithëve qartë se këtë ngjarje e keni njoftuar ju si media, disa orë para se materiali të mbërrinte në Prokurori.

Në bindjen tonë që për këdo, për çdo rast, ne do ta bëjmë procedurën njëlloj, edhe në rastin në fjalë, edhe në raste të tjera, me qëllim që beteja jonë për drejtësi të mos ketë pengesë. Edhe në këtë rast drejtësia është fjala e vetme, nuk kemi asnjë kompromis.