Pas marrjes së kërkesës nga Prokuroria e Përgjithshme, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, në respekt të neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit duhet të thërrasë Këshillin për Rregulloren, Mandatet e Imunitetet.
Me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, Këshilli shqyrton kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti. Tahiri për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën do të mbahet mbledhja. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.
Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin te ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, e cila parashikohet për të mërkurën, në 25 tetor.