VLORE-Sekuestrohet një sasi rekord prej 10 ton kanabis në fshatin Babicë. Lënda narkotike e paketuar dhe gati për t?u trafikuar është zbuluar në një vilë dykatëshe në Babicë.
Sipas burimeve të Report Tv nga policia aksioni po zhvillohej për arrestimin e Florian Habilajt dhe personave të tjerë që janë në kërkim, pasi dyshohet se fshihen në këtë zonë, ndërsa është zbuluar droga. Operacioni është zhvilluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Delta Forcë, Policia e Vlorës dhe anti-droga pas takimit të një nate më parë dhe informacioneve nga SHISH e dosja e përgjimeve nga Italia.
Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën të ditur se nga operacioni janë shoqëruar dhe ndaluar disa persona mes tyre pronari i vilës ku u gjet droga, por nga policia e Vlorës nuk jepen detaje nëse është arrestuar ndonjëri nga 4 të kërkuarit nga Italia për trafikun e mbi 3.5 tonëve kanabis nga Shqipëria drejt vendit fqinj. Në kërkim nga drejtësia italiane janë; Florian Habilaj, Armand Sula, Sabaudin Cela dhe Nezar Seiti.