Report TV - Përgjimet e grupit të drogës në Itali - Deklerata e plotë e ish-ministrit Tahiri

2018-05-03 0

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka folur për herë të parë publikisht pas akuzave të forta të dy ditëve të fundit, për përfshirjen në trafik droge, ku në përgjimet bandës së drogës të publikuara nga italianët përmendej dhe emri i tij. Vetëm një ditë më parë, policia italiane shkatërroi një bandë droge, duke arrestuar mes të tjerëve dhe kreun e saj, shtetasin Mosi Habilaj, i cili sipas opozitës, është kushëri i ish-ministrit.

Në daljen e parë për media, Tahiri ka pranuar që Habilajt janë kushërinjtë e tij, duke thënë se janë kushërinj të dhjetë dhe që nuk i mbron ata, apo askënd tjetër, para drejtësisë.

Më tej, ish-ministri pranoi dhe gabimin që ka bërë në lidhje me këta kushërinj, që ishte momenti kur ai iu kishte shitur makinën më shumë se katër vite më parë. Gjithashtu, Tahiri kërkoi të zbardhet sa më parë e vërteta, duke i bërë thirrje Prokurorisë të hetojë ngjarjen, madje dhe vetë deputeti, pa përfituar ky i fundit nga asnjë lloj imuniteti.