Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, inspektuan punimet për rikonstruksionin e banesave të komunitetit egjiptian, projekt i Bashkisë së Librazhdit, i financuar nga Ministria e Zhvillimit Urban.
Nga faza e parë e këtij projekti përfituan 16 familje, banesat e të cilave ishin në gjendje më të rënduar, disa prej tyre tërësisht të pa banueshme. Deputeti Balla tha se projekti do të vazhdojë më tej.
?Ndoshta është konçidencë, por është një shembull shumë pozitiv dhe shumë domethënës që një ditë pas miratimit në Kuvend të ligjit për pakicat, unë jam këtu për të parë nga afër sesi po implementohet faza e parë e një projekti që do të zgjasë edhe në muajt në vijim, edhe vitin e ardhshëm, për të rikonstruktuar shtëpitë e familjeve të këtij komuniteti. Sot janë në proces rikonstruksioni 16 shtëpi. Unë jam shumë i sigurtë që siç po afrojnë festat e fundvitit, të gjitha këto familje të komunitetit shumë të respektuar egjiptian të Librazhdit do të kenë mundësi që festën e Vitit të Ri ta bëjnë në kushte normale?, është shprehur Balla.
Për kryetarin e bashkisë, Z. Gurra, e gjithë puna që është bërë në Librazhd këto dy vite nuk do të kishte asnjë vlerë pa këtë projekt që i vjen në ndihmë një shtrese që vërtet ka nevojë.
?Ky është një projekt që bëhet për herë të parë në Bashkinë Librazhd dhe më vjen shumë mirë që përfitues janë komuniteti egjiptian. Ky program është i shpërndarë në të gjithë territorin e Bashkisë Librazhd. Faza e parë përfshin 16 familje, por ne ndërkohë kemi bërë gati edhe familjet e tjera që kanë nevojë. Do ishte e pamundur që ky proces të ndodhte nëse nuk do të kishte përfunduar procesi i legalizimit?, tha kryebashkiaku Gurra.
Vetë banorët kanë shprehur mirënjohjen për këtë investim duke treguar gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin dhe pamundësinë për t?i riparuar vetë shtëpitë e tyre.