Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali, me ftesë të homologut të tij italian, Paolo Gentiloni. Kjo është vizita e parë e Ramës në Itali, pas marrjes së mandatit të dytë në krye të qeverisë shqiptare. Rama është pritur me nderimet më të larta nga autoritetet italiane, ndërsa pas takimit kokë më kokë dy kryeministrat kanë zhvilluar edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Në fokus ka qenë ecuria e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së ku hapi i radhës pritet të jetë çelja e negociatave, gjë për të cilën kryeministri italian dha mbështetje të plotë si dhe rritja e investimeve italiane në Shqipëri.
?Duke filluar nga dhjetori i këtij viti dhe përgjatë gjithë vitit 2018, Bashkimi Europian do të marrë në diskutim çështjen e pranimit të Shqipërisë në BE. Kam besim se jo vetëm Italia por dhe liderët e tjerë europian do të mbështesin pranimin e Shqipërisë në BE?, deklaroi Gentiloni gjatë konferencës së përbashkët me Ramën. Ky i fundit falënderoi Italinë për mbështetjen e pakufizuar që ka dhënë për Shqipërinë në rrugën e tranzicionit, ndërsa duke iu referuar reformave kundër informalitetit, gjeti rastin të ftojë biznesin italian për të rritur prezencën në Shqipëri. ?Reformat e ndërmarra nga qeveria kanë dhënë rezultat dhe kemi krijuar një klimë të favorshme për biznesin. Biznesi italian do gjejë në Shqipëri lehtësira fiskale të cilat stimulojnë zhvillimin e biznesit?, ka thënë Rama.